Leximi i Kur’anit nga Mus’hafi gjatë namazit të teravive

▪️▪️▪️ Leximi i Kuranit nga Mus’hafi gjatë namazit të teravive ▪️▪️▪️

💎 Shejh elFeuzan

🔸 Pyetja:
A është në rregull të lexohet nga Mus’hafi në namazin e teravive?

🔸 Përgjigjja:
Ai i cili nuk ka mundësi të lexojë Kuran nga memoria e tij, nuk ka ndonjë të keqe nëse lexon nga Mus’hafi në namazin e teravive. Ai do ta lexojë komplet Kuranin nga fillimi deri në fund, kështu që nëse nuk e di përmendësh Kuranin, atëherë e lexon nga Mus’hafi.
Disa prej selefëve kanë vepruar kështu.

📚 http://www.alfawzan.af.org.sa/node/14891/

✍ Përktheu: Xhemal Jakupi

Gjykimi i faljes së Taravive katër rekate me një selam

Gjykimi i faljes së Taravive katër rekate me një selam
Nga shejh AbdulAziz ibën Baz

Pyetja: gjatë namazit të Taravive, disa imamë bashkojnë katër rekate apo më shumë në një selam, duke mos u ulur pas dy rekateve (të para), dhe pretendojnë se kjo është prej Sunetit. A ka ndonjë bazë kjo vepër në Fenë tonë të dëlirë? [1]

Përgjigja: kjo vepër nuk është e ligjëruar, madje është e urryer apo haram sipas shumicës së dijetarëve, sepse Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë:

صلاة الليل مثنى مثنى

“Namazi i natës është dy rekate, dy rekate.” [2] Hadithi është Muttefekun alejhi dhe përcillet nga Ibën Umeri radijAllahu anhume. Poashtu, është vërtetuar se Aishja radijAllahu anhe ka thënë:

كان النبي صلى الله عليه وسلم يصلي من الليل إحدى عشرة ركعة يسلم من كل اثنتين ويوتر بواحدة

“Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem e falte namazin e natës njëmbëdhjetë rekat; jepte selam për çdo dy rekate dhe falte vitrin një rekat.” [3] Hadithi është Muttefekun alejhi, dhe hadithet me këtë kuptim janë të shumta. Sa i përket hadithit të njohur prej Aishes:

أن النبي صلى الله عليه وسلم كان يصلي من الليل أربعاً فلا تسأل عن حسنهن وطولهن ثم يصلي أربعاً فلا تسأل عن حسنهم وطولهن

“Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem falte katër rekate në namazin e natës, e mos pyet për bukurinë dhe gjatësinë e tyre. Më pas, ai falte katër rekate, e mos pyet për bukurinë dhe gjatësinë e tyre.” [4] Hadithi është Muttefekun alejhi. Qëllimi i këtij hadithi është se Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem jepte selam për çdo dy rekate, dhe nuk është për qëllim se i falte katër pa shkëputje me një selam, për shkak të hadithit të parapërmendur, dhe për shkak të hadithit që është vërtetuar nga Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem se ka thënë:

صلاة الليل مثنى مثنى

“Namazi i i natës është dy rekatë, dy rekatë”, sikurse e thamë më lart. Hadithet vërtetojnë njëra tjetrën, shpjegojnë njëra tjetrën, andaj muslimani e ka për detyrë që t’i marrë të gjitha, dhe t’i shpjegojë hadithet e përgjithshme me ato që janë sqaruese. Suksesi vjen prej Allahut.

Fundnotat:
[1] Publikuar në revistën “ed-Da’uah” nr 1578 më datë 21.09.1417 h.
[2] Transmeton Buhariu në kapitullin e namazit, tema e tubimit dhe uljes në xhami, nr 472. Poashtu e transmeton Muslimi në kapitullin e namazit të udhëtarit dhe shkurtimit të tij, tema e namazit të natës nga dy rekatë ndërsa vitri një rekat në fund të natës, nr 749.
[3] Transmeton Muslimi në kapitullin e namazit të udhëtarit dhe shkurtimit të tij, tema e namazit të natës dhe numrit të rekateve të Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, nr 736.
[4] Transmeton Buhariu në kapitullin e Xhumasë, tema e namazit të natës së Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, nr 1147. Poashtu e transmeton Muslimi në kapitullin e namazit të udhëtarit dhe shkurtimit të tij, tema e namazit të natës dhe numrit të rekateve të Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, nr 738.

Burimi: http://www.binbaz.org.sa/fatawa/4516
Përktheu: Besmir Cacani/

—–
A lejohet t’i falim Taravitë duke dhënë selam për çdo katër rekate? A është në përputhje me Sunetin kjo?
Nga shejh Muhamed ibën Salih el Uthejmin

Përgjigja: njeriut nuk i lejohet të falë namazin e Taravive katër rekate me një selam, sepse kjo është në kundërshtim me udhëzimin e Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem. Kur është pyetur Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem për namazin e natës, ai është përgjigjur duke thënë:

صلاة الليل مثنى مثنى

“Namazi i natës është dy rekate, dy rekate.” Dmth se forma e saj fetare dhe e ligjëruar është nga dy rekate pa bërë shtesa. Për këtë, imam Ahmedi Allahu e mëshiroftë ka thënë: “Nëse ngrihet për të falë rekatin e tretë –dmth në namazin vullnetar të natës – është sikur të jetë ngritur të falë rekatin e tretë në sabah”, dmth po të ngrihej për të falë rekat të tretë në sabah, ai namaz do të ishte i pavlefshëm (batil), e njëjtë është edhe po të ngrihej për rekat të tretë në namazin e natës; ai do të ishte i pavlefshëm (batil) nëse e bën me qëllim. E nëse e bën në harresë, atëherë rikthehet kur të kujtohet, jep selam dhe bën dy sexhde harrese.

Disa njerëz kanë menduar se bashkimi i katër rekateve me një selam është aluduar në hadithin e Aishes radijAllahu anhe, kur u pat pyetur rreth namazit të natës së Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem në Ramazan, dhe është përgjigjur: “Ai gjatë Ramazanit dhe jashta tij, nuk shtonte mbi njëmbëdhjetë rekate. Falte katër rekate, e mos pyet për bukurinë dhe gjatësinë e tyre, më pas, ai falte katër, e mos pyet për bukurinë dhe gjatësinë e tyre, e më pas ai falte tre.” Disa njerëz kanë menduar se thënia e saj “katër”, dmth me një selam. Mirëpo, çështja nuk qëndron ashtu, sepse është vërtetuar nga vetë ajo, se Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem falte njëmbëdhjetë rekate, ku për çdo dy rekate jepte selam.

Duke u bazuar mbi këtë, kuptimi i thënies së saj “falte katër, pastaj katër” është se i falte ato katër me dy selame, pastaj pushonte pak, më pas vazhdonte falte katër rekate me dy selame, e më pas pushonte përsëri pak, në fund falte tre rekate. Fjalët e saja të përgjithshme, shpjegohen prej fjalëve sqaruese, mirëpo këtu bën përjashtim vitri. Nëse njeriu fal tre rakate vitër, atij i lejohet të japë selam pas dy rekateve, dhe i lejohet t’i falë të gjitha me një selam dhe me një teshehud. Nëse fal pesë rekate vitër, mund t’i falë të gjitha me një teshehud dhe një selam. E njëjta vlen nëse fal shtatë. Poashtu nëse fal nëntë rekate vitër, mund të falë tetë përnjëherë, më pas ulet në të tetin për të bërë teshehudin mirëpo nuk jep selam, pastaj fal rekatin e nëntë, bën teshehudin dhe jep selam. Ky është një përjashtim.

Pra, përveç rastit që është bërë përjashtim, nëse ngrihet për në rekat të tretë e më pas i kujtohet, ai kthehet për të bërë teshehudin edhe nëse e ka lexuar Fatihanë, jep selam dhe pastaj bën dy sexhde harrese.

Burimi: http://binothaimeen.net/content/11667
Përktheu: Besmir Cacani

—–
A lejohet të falen Taravitë katër rekate me një selam?
Nga shejh Muhamed el Medkhali

Pyetja: thotë në këtë pyetje të ardhur nga faqja Mirathul enbija: a lejohet të falen Taravitë katër rekate me një selam, dmth katër rekate duke dhënë një selam?
Përgjigja: jo, kjo nuk është e saktë! Edhe pse ka ndodhur para dy netëve në xhaminë e Pejgamberit, apo ndodh nganjëherë. E vërteta është se falja e namazit katër rekate me një selam është i pavlefshëm (batil), sepse Aishja, nëna e besimtarëve radijAllahu anhe thotë: “Ai gjatë Ramazanit dhe jashta tij, nuk shtonte mbi njëmbëdhjetë rekate. Falte katër rekate, e mos pyet për bukurinë dhe gjatësinë e tyre, më pas, ai falte katër, e mos pyet për bukurinë dhe gjatësinë e tyre, e më pas ai falte tre.”

Thënia e saj: “Katër rekate, e mos pyet për bukurinë dhe gjatësinë e tyre, më pas, ai falte katër, e mos pyet për bukurinë dhe gjatësinë e tyre”, këtu është për qëllim përshkrimi i këtyre katër rekateve që janë dy nga dy.

Ndonjëri mund të thotë: nga e solle këtë?!

I themi atij: nga vetë hadithi i saj. Ky hadith që thamë është Muttefekun alejhi, ndërsa në hadithin tjetër tek Muslimi ka thënë: “Falte katër, dhe jepte selam për çdo dy rekate.” Andaj, hadithi i pakushtëzuar duhet të shpjegohet me të kushtëzuarin, dhe ky hadith i përgjithshëm duhet të shpjegohet me specifikun. Hadithi i katër rekateve tek Muslimi thotë: “Mos pyet për bukurinë dhe gjatësinë e tyre; ai jepte selam për çdo dy rekate.” Pra, Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem jepte selam çdo dy rekate, e ky është shpjegim i hadithit të pakushtëzuar, andaj patjetër duhet dhënë selam pas çdo dy rekateve, dhe kështu përputhet me hadithin “Namazi i natës është dy rekate, dy rekate.” Pra, katër rekatet shpjegohen se jepte selam për çdo dy rekate, ndërsa selami për çdo dy rekate shpjegon thënien e Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem: “Namazi i natës është dy rekate, dy rekate.”

Patjetër duhet dhënë selam për çdo dy rekate. Nëse ngrihet për të falë më shumë, atëherë e ka për detyrë të kthehet dhe të ulet, ashtu siç e ka (detyrë) po të ngrihej për rekat të tretë në sabah. Ai duhet të kthehet, të ulet, të bëjë teshehud, të bëjë dy sexhde harrese dhe më pas të japë selam. Sa i përket hadithit me katër rekate dhe një selam që është tek Ebu Daudi, ai është i dobët (shaadh) që kundërshton hadithet e sakta. Kështu që, Allahu u mëshiroftë imam Ahmedin, i cili ka thënë: “Kush ngrihet për të falë rekatin e tretë në namazin e natës, është sikur ai që është ngritur të falë rekatin e tretë në sabah.”

Çdo të thotë kjo?! Do të thotë se namazi i tij është i pavlefshëm (batil) nëse e bën me qëllim. E nëse e bën në harresë, ai përkujtohet, bën teshehud dhe më pas bën dy sexhde harrese. Edhe sikur të jetë ngritur në këmbë, ai duhet të kthehet. Edhe nëse ka filluar të lexojë Fatihanë, ai duhet të kthehet, më pas të bëjë teshehudin dhe të japë selam. Kjo është e sakta e kësaj meseleje.

Burimi: http://www.albaidha.net/vb4/showthread.php?t=40325
Përktheu: Besmir Cacani