Sqarim për sasinë e ushqimit që është obligim të jepet për Zekat elFitr

💡 Sqarim për sasinë e ushqimit që është obligim të jepet për Zekat elFitr

🔸 E gjithë lavdia i takon Vetëm Allahut! Salavatet dhe selamet qofshin për të Dërguarin e Tij Muhamedin, për familjen dhe për shokët e tij në përgjithësi!

Më tej:

Ajo që diskutohet secilin vit në Ramazan kur vjen koha për dhënien e Zekat elFitrit është pyetja rreth sasisë apo peshës së ushqimit që duhet dhënë.

🔸 Fillimisht: Dhënia e Zekat elFitrit është obligim për secilin musliman dhe jepet për secilin individ të familjes, qoftë mashkull, femër, i rritur, i vogël, i mençur dhe i çmendur. Për secilin prej tyre jepet një sa’ë ushqim.

Nga Ibën Abbasi, radijAllahu ‘anhuma, transmetohet të ketë thënë: “I Dërguari i Allahut, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, e bëri obligim Zekat elFitrin si pastrim për agjëruesin nga fjalët e kota dhe mangësitë dhe si ushqim për të varfrit. Kush e jep para namazit (të Bajramit) ai është zekat i pranuar, e kush e jep pas namazit, ajo është vetëm një sadaka.”

‼️ Zekat elFitri jepet vetëm ushqim dhe nuk lejohet që në vend të tij të jepet një shumë të hollash.

Në Dy Sahihët transmetohet nga Ebu Se’id elHudriu, radijAllahu ‘anhu, të ketë thënë: “Në kohën e Profetit, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, jepnim një sa’ë me ushqim…”

🔸 Sa është sasia e një Sa’it?
A caktohet kjo me sasi dhe vëllim, apo me peshë (kilogramë)?

🔸 Masa matëse Sa’ë (صاع) është masë matëse për vëllim (sasi) dhe nuk është masë peshe. Sa’i është një tas i madh, i cili e ka vëllimin e katër tasave të vegjël “Mudd” (مُدّ).

2 Foto të enës së quajtur Mudd:
Foto Mudd Foto Mudd

Për më saktësisht, një Mudd është i barabartë me vëllimin e 0.75 L (750 cm3), që do të thotë se 4mudd = 0.75L X 4 = 3L.

Kjo masë është përdorur për të matur artikuj gjatë shitblerjeve nëpër tregjet e kohës së Profetit, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, si dhe më pas.
Në lutje Profeti, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, ka thënë:
“اللهم بارك لنا في صاعنا ومدنا”
“O Allah! Na i beko sa’ët dhe muddet tona!”
(Dy Sahihët)

💡 Pra, për ta llogaritur saktësisht Zekat elFitrin ju duhet të gjeni një enë që është e barabartë me 0.75 L dhe të bëni katër matje me të; ose të keni një enë të barabartë me 3L 🍚 dhe me të ta matni sasinë që duhet ta jepni për një anëtar të familjes suaj.

Masat e zekatit të Fitrit
Masat e zekatit të Fitrit

Përndryshe, caktimi i ushqimit me peshë nuk është çdoherë i saktë, ngase pesha dallon nga lloji, cilësia, dendësia, etj., të ushqimit në fjalë. Ajo që jemi të obliguar me Sheriat është të jepet kjo sasi e caktuar prej një Sa’i, ose katër Mudde.
Allahu e di më së miri.

✍️ Xhemal Jakupi