Gjykimi i zgjatjes së rrobave poshtë nyjeve të këmbëve

🚫 Gjykimi i zgjatjes së rrobave poshtë nyjeve të këmbëve 🚫
✍🏻 Nga shejh Salih el Feuzan

🔹 Allahu ju dhëntë mirësi! Çfarë mendoni për atë që e zgjat rrobën poshtë nyjeve të këmbëve dhe thotë se: “Unë nuk e zgjas rrobën me mendjemadhësi”?

🔸 Përgjigja: Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem thotë: “Kush e tërheq rrobën e tij me mendjemadhësi, ai do të përpëlitet i zhytur në tokë”, dmth Allahu e fundosë tokën bashkë me të. Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka lajmëruar për një burrë nga popujt e mëparshëm, i cili ishte mahnitur me veten dhe veshjen e tij, kështu që Allahu e fundosi tokën bashkë me të dhe do të vazhdojë të përpëlitet i zhytur në tokë deri në Ditën e Gjykimit, për shkak të mendjemadhësisë dhe krekosjes në veshje dhe ecje.

Zgjatja e rrobës poshtë nyjeve është e ndaluar (haram), qoftë kjo me mendjemadhësi apo pa mendjemadhësi. Nëse e bën me mendjemadhësi, atëherë kjo gjë është më e rëndë nga dy aspekte:

– Nga aspekti i zgjatjes së rrobës
– Dhe nga aspekti i mendjemadhësisë

Nëse zgjatja e rrobës nuk bëhet me mendjemadhësi, atëherë kjo gjë është e ndaluar sepse bën pjesë tek zgjatja dhe Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Çfarë është poshtë nyjeve të këmbëve, atëherë është në Zjarr.” Nuk ka thënë “me mendjemadhësi”, mirëpo gjykimin e ka lidhur me zgjatjen e rrobës poshtë nyjeve. Po!

📚 Burimi: http://alfawzan.af.org.sa/node/3197
📺 Shiko videon: https://youtu.be/y2rkrZTkcKs
Përktheu: Besmir Cacani

Gjykimi i faljes së Taravive katër rekate me një selam

Gjykimi i faljes së Taravive katër rekate me një selam
Nga shejh AbdulAziz ibën Baz

Pyetja: gjatë namazit të Taravive, disa imamë bashkojnë katër rekate apo më shumë në një selam, duke mos u ulur pas dy rekateve (të para), dhe pretendojnë se kjo është prej Sunetit. A ka ndonjë bazë kjo vepër në Fenë tonë të dëlirë? [1]

Përgjigja: kjo vepër nuk është e ligjëruar, madje është e urryer apo haram sipas shumicës së dijetarëve, sepse Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë:

صلاة الليل مثنى مثنى

“Namazi i natës është dy rekate, dy rekate.” [2] Hadithi është Muttefekun alejhi dhe përcillet nga Ibën Umeri radijAllahu anhume. Poashtu, është vërtetuar se Aishja radijAllahu anhe ka thënë:

كان النبي صلى الله عليه وسلم يصلي من الليل إحدى عشرة ركعة يسلم من كل اثنتين ويوتر بواحدة

“Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem e falte namazin e natës njëmbëdhjetë rekat; jepte selam për çdo dy rekate dhe falte vitrin një rekat.” [3] Hadithi është Muttefekun alejhi, dhe hadithet me këtë kuptim janë të shumta. Sa i përket hadithit të njohur prej Aishes:

أن النبي صلى الله عليه وسلم كان يصلي من الليل أربعاً فلا تسأل عن حسنهن وطولهن ثم يصلي أربعاً فلا تسأل عن حسنهم وطولهن

“Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem falte katër rekate në namazin e natës, e mos pyet për bukurinë dhe gjatësinë e tyre. Më pas, ai falte katër rekate, e mos pyet për bukurinë dhe gjatësinë e tyre.” [4] Hadithi është Muttefekun alejhi. Qëllimi i këtij hadithi është se Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem jepte selam për çdo dy rekate, dhe nuk është për qëllim se i falte katër pa shkëputje me një selam, për shkak të hadithit të parapërmendur, dhe për shkak të hadithit që është vërtetuar nga Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem se ka thënë:

صلاة الليل مثنى مثنى

“Namazi i i natës është dy rekatë, dy rekatë”, sikurse e thamë më lart. Hadithet vërtetojnë njëra tjetrën, shpjegojnë njëra tjetrën, andaj muslimani e ka për detyrë që t’i marrë të gjitha, dhe t’i shpjegojë hadithet e përgjithshme me ato që janë sqaruese. Suksesi vjen prej Allahut.

Fundnotat:
[1] Publikuar në revistën “ed-Da’uah” nr 1578 më datë 21.09.1417 h.
[2] Transmeton Buhariu në kapitullin e namazit, tema e tubimit dhe uljes në xhami, nr 472. Poashtu e transmeton Muslimi në kapitullin e namazit të udhëtarit dhe shkurtimit të tij, tema e namazit të natës nga dy rekatë ndërsa vitri një rekat në fund të natës, nr 749.
[3] Transmeton Muslimi në kapitullin e namazit të udhëtarit dhe shkurtimit të tij, tema e namazit të natës dhe numrit të rekateve të Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, nr 736.
[4] Transmeton Buhariu në kapitullin e Xhumasë, tema e namazit të natës së Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, nr 1147. Poashtu e transmeton Muslimi në kapitullin e namazit të udhëtarit dhe shkurtimit të tij, tema e namazit të natës dhe numrit të rekateve të Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, nr 738.

Burimi: http://www.binbaz.org.sa/fatawa/4516
Përktheu: Besmir Cacani/

—–
A lejohet t’i falim Taravitë duke dhënë selam për çdo katër rekate? A është në përputhje me Sunetin kjo?
Nga shejh Muhamed ibën Salih el Uthejmin

Përgjigja: njeriut nuk i lejohet të falë namazin e Taravive katër rekate me një selam, sepse kjo është në kundërshtim me udhëzimin e Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem. Kur është pyetur Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem për namazin e natës, ai është përgjigjur duke thënë:

صلاة الليل مثنى مثنى

“Namazi i natës është dy rekate, dy rekate.” Dmth se forma e saj fetare dhe e ligjëruar është nga dy rekate pa bërë shtesa. Për këtë, imam Ahmedi Allahu e mëshiroftë ka thënë: “Nëse ngrihet për të falë rekatin e tretë –dmth në namazin vullnetar të natës – është sikur të jetë ngritur të falë rekatin e tretë në sabah”, dmth po të ngrihej për të falë rekat të tretë në sabah, ai namaz do të ishte i pavlefshëm (batil), e njëjtë është edhe po të ngrihej për rekat të tretë në namazin e natës; ai do të ishte i pavlefshëm (batil) nëse e bën me qëllim. E nëse e bën në harresë, atëherë rikthehet kur të kujtohet, jep selam dhe bën dy sexhde harrese.

Disa njerëz kanë menduar se bashkimi i katër rekateve me një selam është aluduar në hadithin e Aishes radijAllahu anhe, kur u pat pyetur rreth namazit të natës së Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem në Ramazan, dhe është përgjigjur: “Ai gjatë Ramazanit dhe jashta tij, nuk shtonte mbi njëmbëdhjetë rekate. Falte katër rekate, e mos pyet për bukurinë dhe gjatësinë e tyre, më pas, ai falte katër, e mos pyet për bukurinë dhe gjatësinë e tyre, e më pas ai falte tre.” Disa njerëz kanë menduar se thënia e saj “katër”, dmth me një selam. Mirëpo, çështja nuk qëndron ashtu, sepse është vërtetuar nga vetë ajo, se Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem falte njëmbëdhjetë rekate, ku për çdo dy rekate jepte selam.

Duke u bazuar mbi këtë, kuptimi i thënies së saj “falte katër, pastaj katër” është se i falte ato katër me dy selame, pastaj pushonte pak, më pas vazhdonte falte katër rekate me dy selame, e më pas pushonte përsëri pak, në fund falte tre rekate. Fjalët e saja të përgjithshme, shpjegohen prej fjalëve sqaruese, mirëpo këtu bën përjashtim vitri. Nëse njeriu fal tre rakate vitër, atij i lejohet të japë selam pas dy rekateve, dhe i lejohet t’i falë të gjitha me një selam dhe me një teshehud. Nëse fal pesë rekate vitër, mund t’i falë të gjitha me një teshehud dhe një selam. E njëjta vlen nëse fal shtatë. Poashtu nëse fal nëntë rekate vitër, mund të falë tetë përnjëherë, më pas ulet në të tetin për të bërë teshehudin mirëpo nuk jep selam, pastaj fal rekatin e nëntë, bën teshehudin dhe jep selam. Ky është një përjashtim.

Pra, përveç rastit që është bërë përjashtim, nëse ngrihet për në rekat të tretë e më pas i kujtohet, ai kthehet për të bërë teshehudin edhe nëse e ka lexuar Fatihanë, jep selam dhe pastaj bën dy sexhde harrese.

Burimi: http://binothaimeen.net/content/11667
Përktheu: Besmir Cacani

—–
A lejohet të falen Taravitë katër rekate me një selam?
Nga shejh Muhamed el Medkhali

Pyetja: thotë në këtë pyetje të ardhur nga faqja Mirathul enbija: a lejohet të falen Taravitë katër rekate me një selam, dmth katër rekate duke dhënë një selam?
Përgjigja: jo, kjo nuk është e saktë! Edhe pse ka ndodhur para dy netëve në xhaminë e Pejgamberit, apo ndodh nganjëherë. E vërteta është se falja e namazit katër rekate me një selam është i pavlefshëm (batil), sepse Aishja, nëna e besimtarëve radijAllahu anhe thotë: “Ai gjatë Ramazanit dhe jashta tij, nuk shtonte mbi njëmbëdhjetë rekate. Falte katër rekate, e mos pyet për bukurinë dhe gjatësinë e tyre, më pas, ai falte katër, e mos pyet për bukurinë dhe gjatësinë e tyre, e më pas ai falte tre.”

Thënia e saj: “Katër rekate, e mos pyet për bukurinë dhe gjatësinë e tyre, më pas, ai falte katër, e mos pyet për bukurinë dhe gjatësinë e tyre”, këtu është për qëllim përshkrimi i këtyre katër rekateve që janë dy nga dy.

Ndonjëri mund të thotë: nga e solle këtë?!

I themi atij: nga vetë hadithi i saj. Ky hadith që thamë është Muttefekun alejhi, ndërsa në hadithin tjetër tek Muslimi ka thënë: “Falte katër, dhe jepte selam për çdo dy rekate.” Andaj, hadithi i pakushtëzuar duhet të shpjegohet me të kushtëzuarin, dhe ky hadith i përgjithshëm duhet të shpjegohet me specifikun. Hadithi i katër rekateve tek Muslimi thotë: “Mos pyet për bukurinë dhe gjatësinë e tyre; ai jepte selam për çdo dy rekate.” Pra, Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem jepte selam çdo dy rekate, e ky është shpjegim i hadithit të pakushtëzuar, andaj patjetër duhet dhënë selam pas çdo dy rekateve, dhe kështu përputhet me hadithin “Namazi i natës është dy rekate, dy rekate.” Pra, katër rekatet shpjegohen se jepte selam për çdo dy rekate, ndërsa selami për çdo dy rekate shpjegon thënien e Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem: “Namazi i natës është dy rekate, dy rekate.”

Patjetër duhet dhënë selam për çdo dy rekate. Nëse ngrihet për të falë më shumë, atëherë e ka për detyrë të kthehet dhe të ulet, ashtu siç e ka (detyrë) po të ngrihej për rekat të tretë në sabah. Ai duhet të kthehet, të ulet, të bëjë teshehud, të bëjë dy sexhde harrese dhe më pas të japë selam. Sa i përket hadithit me katër rekate dhe një selam që është tek Ebu Daudi, ai është i dobët (shaadh) që kundërshton hadithet e sakta. Kështu që, Allahu u mëshiroftë imam Ahmedin, i cili ka thënë: “Kush ngrihet për të falë rekatin e tretë në namazin e natës, është sikur ai që është ngritur të falë rekatin e tretë në sabah.”

Çdo të thotë kjo?! Do të thotë se namazi i tij është i pavlefshëm (batil) nëse e bën me qëllim. E nëse e bën në harresë, ai përkujtohet, bën teshehud dhe më pas bën dy sexhde harrese. Edhe sikur të jetë ngritur në këmbë, ai duhet të kthehet. Edhe nëse ka filluar të lexojë Fatihanë, ai duhet të kthehet, më pas të bëjë teshehudin dhe të japë selam. Kjo është e sakta e kësaj meseleje.

Burimi: http://www.albaidha.net/vb4/showthread.php?t=40325
Përktheu: Besmir Cacani

Agjërimi për ata që e kanë natën e shkurtër

🌔 Agjërimi për ata që e kanë natën e shkurtër
✍🏻 Nga shejh Ahmed en-Nexhmi

🔹 Ky pyetës thotë: si agjëron personi të cilit i ndryshon dita dhe nata? Thotë se në disa vende nata është më e gjatë se dita dhe nganjëherë dita është më e gjatë se nata? Nata mbase është 2-3 orë, apo katër?

🔸 Përgjigja: Allahu subhanehu ue teala na ka ngarkuar që të agjërojmë ditën, ndërsa iftarin ta bëjmë natën.

Allahu subhanehu ue teala ka thënë: “Tani është e lejuar për ju që, gjatë netëve të agjërimit, të shkoni me bashkëshortet tuaja. Ato janë petk për ju e ju jeni petk për ato. Allahu e di mirë se ju e keni mashtruar veten (duke shkuar me gratë para se të zbriste lejimi), por Allahu e ka pranuar pendimin tuaj dhe jua ka falur gabimin. Prandaj, ju lejohet bashkimi me bashkëshortet tuaja dhe tani kërkoni atë që ka caktuar Allahu për ju. Dhe hani e pini derisa të dallohet fija e bardhë (bardhësia) e agimit nga fija e zezë (errësira e natës), pastaj plotësojeni agjërimin derisa të bjerë mbrëmja.” [El Bekare: 187].

Ky është obligimi i agjërimit, pra agjërimi duhet bërë ditën, ndërsa iftari duhet bërë natën, edhe sikur të jetë i shkurtër. Edhe nëse nata është e gjatë dhe dita është e shkurtë, apo e anasjellta: nëse dita është e gjatë dhe nata është e shkurtë.

📺 Shiko videon: https://youtu.be/VB-YXXGojsw
Përktheu: Besmir Cacani

A e prishin agjërimin gjilpërat për kurimin e sheqerit?

💉 A e prishin agjërimin gjilpërat për kurimin e sheqerit*?
✍🏻 Nga shejh Salih el Feuzan

🔹 Allahu ju shpërbleftë! A e prishin agjërimin gjilpërat për kurimin e sheqerit*? Allahu ju dhëntë mirësi!

🔸 Përgjigja: jo! Gjilpërat që merren për kurimin e sheqerit* apo për të ulur sheqerin, nuk e prishin agjërimin, sepse ato merren nga lëkura dhe nuk kalojnë përmes gojës.

📺 Shiko videon: https://youtu.be/nfCMfAw7Nlo
Përktheu: Besmir Cacani

*)Shenim i redaktorit: mendoj se behet fjale për sëmundjen e diabetit, pra për përsonat e sëmurë me diabet dhe që bëjnë gjilpëra me insulinë

A marr shpërblim për gatimin që e bëj?

🔹 A marr shpërblim për gatimin që e bëj?
✍🏻 Nga shejh Salih el Feuzan

🔸 Kjo motër muslimane thotë se e kalon shumicën e kohës në kuzhinë dhe është e angazhuar me përgatitjen e llojeve të ndryshme të ushqimit, e kështu o shejh asaj i ikën përfitimi nga kohët e muajit (Ramazan); a keni ndonjë orientim për të? A merr ajo shpërblim për përgatitjen e këtyre ushqimeve?

🔸 Përgjigja: po! Ajo shpërblehet për këtë, sepse po përgatit ushqimin për agjëruesit dhe kjo bën pjesë tek bashkëpunimi për vepra të mira dhe devotshmëri, andaj ajo shpërblehet për këtë gjë. Gatimi dhe punët nuk e pengojnë atë që bëjë tesbih, tehlil, tekbir dhe të lexojë çfarë ka mësuar përmendësh nga Kurani. Gatimi nuk e pengon atë që t’i bëjë dhikër Allahut azze ue xhel-le.

📚 Burimi: http://www.ajurry.com/vb/attachment.php?attachmentid=44373&d=1402605618
📺 Shiko videon: https://youtu.be/Ji5Xqs0b0gg
Përktheu: Besmir Cacani

Pershendetja

Forumi i parë Selefi në gjuhën Shqipe, “Sipas kuptimit të Selefëve të këtij Ummeti”
Ne kete forum gjenden sqarimet per çështjet aktuale me shpjegimin e dijetarëve te ketij Ummeti.